Ishte ora 11:40 minuta kur në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi ardhja e kandidatëve, të cilët kanë dorëzuar aplikimet për pozicionet e Shefave të Komisariateve.
Intervistimi i tyre, për platformat e hartuara prej secilit për mënyrën se si do të drejtojë komisariatet, nisi në orën 12:00.
Është një komision i posaçëm, ai që do të njihet me këto platforma dhe më pas do të bëjë të mundur edhe pikëzimin e secilit prej kandidatëve. Komisioni i vlerësimit në Drejtorinë e Përgjithshme përbëhet nga: kryetare Alma Përmeti, anëtarë Ervina Gjana dhe Anisa Duçkollari.
Procesi i intervistimit për secilin kandidat zgjat 20-25 minuta, ndërsa të gjitha intervistat pritet të përfundojnë më 10 dhjetor. Duhet theksuar se nga verifikimi paraprak i listës së kandidatëve që janë në garë për shef komisariati të Policisë së Shtetit, komisioni i posaçëm ka skualifikuar 15 prej tyre.
Sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit, listimi i kandidatëve me pikët maksimale do t’i dërgohet drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili më pas do të vendosë se kush prej tyre do të emërohet shef komisariati.