Me hedhjen poshtë nga Gjykata Supreme të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së që kërkon certifikimin e Listës Serbe dhe 48 kandidatëve të saj, është mbyllur çështja e pjesëmarrjes në zgjedhje të kësaj partie politike.
Lista Serbe dhe kandidatët e saj do të përfshihen në garën zgjedhore të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të datës 9 shkurt 2025.
Kjo vjen pasi që siç u tha në mbledhjen e KQZ-së nga kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm.
Lidhur me këtë ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Në njoftim thuhet se procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike, shkruan IndeksOnline.
“Ambasada e SHBA-së është e kënaqur që të gjithë kandidatët e kualifikuar janë certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe institucionet kosovare kanë përmbushur rolet e tyre thelbësore për një demokraci elastike dhe gjithëpërfshirëse. Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush zgjidhet sipas sistemit demokratik të Kosovës dhe të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo përpjekje për të politizuar procesin zgjedhor”, thuhet në reagimin e Ambasadës.