Burime të huaja diplomatike pranë bisedimeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Arabinë Saudite, kanë theksuar se SHBA-ja dhe Rusia propozojnë një plan paqeje me tre faza që përfshin një armëpushim, zgjedhje në Ukrainë dhe më pas nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtarem shkruan Ukrainska Pravda.
Megjithatë, ideja e zgjedhjeve u mohua më vonë, duke shpjeguar se Rusia po e shtynte këtë pikë, ka njoftuar korrespondentja e Fox News, Jacqui Heinrich.
Disa burime të huaja diplomatike i thanë Fox News se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po konsideronin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, si një kusht kyç për suksesin e procesit të zgjidhjes.
Megjithatë, një burim tjetër amerikan i njohur me bisedimet e zbuti këtë deklaratë, duke shpjeguar se çështja e zgjedhjeve është shtyrë në bisedime dhe mund të jetë pjesë e negociatave të ardhshme, por jo në këtë moment.
Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka komentuar këtë deklaratë, por pritet ta bëjë këtë së shpejti.
Burime të shumta diplomatike të huaja dhanë këtë lexim nga pala ukrainase: “Putin vlerëson probabilitetin e zgjedhjes së një presidenti kukull si mjaft të lartë, dhe është gjithashtu i bindur se çdo kandidat tjetër përveç presidentit aktual të Ukrainës do të jetë më fleksibël dhe i gatshëm për negociata dhe lëshime. Nga ana tjetër, Donald Trump është i gatshëm të pranojë çdo rezultat zgjedhor”.
Pas takimit, delegacionet amerikane dhe ruse ranë dakord të “adresojnë marrëdhëniet dypalëshe” dhe të vazhdojnë punën për përgatitjen e negociatave në lidhje me luftën ruso-ukrainase.