Aksioni i fundit i Policisë së Kosovës për mbylljen e Bankës së Kursimeve në veri të vendit, ka ngjallur reagime të shumta. Faktori ndërkombëtarë pas këtij aksioni i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që para aksioneve në veri të vendit duhet koordinim me ta.
Sot, pas takimit me kryeministrit Albin Kurti, Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas ka thënë se veprimet e njëanshme mund të rrisin tensionet dhe se duhet koordinim, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në një komunikatë të KFOR u tha se takimi me Kurtin vjen pas aksioneve të fundit nga Policia e Kosovës, të cilat rezultuan me mbylljen e gjatë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri të Kosovës.
“Gjeneralmajor Ulutaş vuri në dukje se veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur midis të gjitha palëve të interesuara. Ai gjithashtu përsëriti përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit të gjatë të misionit të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe ai përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të mirën e të gjitha komuniteteve”.
Edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, të enjten ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës koordinim para aksioneve në veri.
“Nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti. E themi hapur këtë dhe më lejoni vetëm një shembull të fundit. Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoime deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën.”, tha Hovenier.
Ai u shpreh se duan ta shohin Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtohen me interpretimin e tyre, por veprimet nuk duhet të pengojnë dialogun.
“Nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike,ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim.”, tha ai në një intervistë në RTK.