Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, u ka thënë anëtarëve të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, se pas pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të mos i bëjnë asnjë pyetje Serbisë në lidhje me përkrahjen e integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.
Gjuriq tha se vendimi i Beqiroviqit dhe Komshiqit për të pritur Albin Kurtin cenon “themelin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për marrëdhëniet dypalëshe”.
Ai deklaroi se ky vendim është në kundërshtim me organizimin e brendshëm të Bosnjë-Hercegovinës, karakterin dhe natyrën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe se është thellësisht në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
“Në kundërshtim me Serbinë, e cila asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës as me fjalë e as me vepra, zyrtarisht Sarajeva ka treguar se nuk e njeh integritetin territorial të fqinjit të saj më të afërt”, tha Gjuriq.
Kurti, i cili mbrëmë ka mbërritur në Sarajevë, sot është takuar me Komshiqin dhe Beqiroviqin dhe janë planifikuar takime me anëtarë të Këshillit të Ministrave dhe në Qeverinë e FBiH-së, si dhe me përfaqësues të SDA-së dhe Partisë për BeH-në.
Ballina