Në mbledhjen e njëmbëdhjetë të senatit, të zhvilluar, më 29 janar 2025, u vendos, midis tjerash, edhe në lidhje me kohëzgjatjen e studimeve në Universitetin e Prishtinës në nivelet baçelor, master dhe doktoratë.
Senati mori vendim që ashtu siç parashihet në statutin e Universitetit të Prishtinës, studimet e një programi të përfundojnë jo më larg se dyfishi i kohës së kryerjes së atij programi. Studentët gjithashtu e kanë të drejtën, kur kanë ndonjë arsye të fuqishme, të bëjnë pauzë deri një vit nga studimet.
U shqyrtuan edhe disa nga pozitat e konkursit të Fakultetit Filozofik të 23 majit 2023, për të cilat Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte konstatuar konflikt interesi, ndërsa senati në mbledhjen e 27 nëntorit 2024 kishte shfuqizuar avancimet deri në pikën ku nuk ekzistonte ky konflikt.
Pas ndjekjes së procedurave të nevojshme, duke i ikur konfliktit të mundshëm të interesit, Senati vendosi të rikthejë në pozitat e fituara në vitin 2023, dy profesorë e një asistente, ndërsa rastin e avancimit të një profesori me konkursin e 23 majit 2023 e ktheu në rishqyrtim te Këshilli i Fakultetit Filozofik.
Në mbledhje u miratua edhe plani i realizimit të konkurseve për studentë të rinj në studimet baçelor e master të vitit 2025/’26, afati i shpalljes së studimeve te doktoratës për vitin 2025/26 më së largu deri, më 31 mars 2025 dhe u ratifikuan disa tema doktorate të propozuara nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës.
Senatorët miratuan njëzëri përfshirjen e ekspertëve të jashtëm nga projekti me programin SHER, arsimin e lartë dhe kërkimin e qëndrueshëm në Kosovë, që po ndihmon UP-në për hartimin e rregulloreve në pajtim me statutin aktual, sipas memorandumit të nënshkruar, më 8 nëntor 2024.
Gjithashtu, në mbledhje u miratuan komisionet që do të hartojnë rregulloret për vlerësimin e studentëve e mbajtjen e provimeve dhe për titujt e nderit, çmimet dhe mirënjohjet e Universitetit të Prishtinës.
Mbledhja e njëmbëdhjetë e Senatit të Universitetit të Prishtinës ishte e para për vitin 2025.