Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur në lidhje me çështjen e konfirmimit se kush mbetet kryetar legjitim i Aleancës për Shqiptarët.
Deputetja Ilire Dauti reagon lidhur me këtë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ajo thotë se Gjykata Themelore Tetovë para 5 muajsh vendosi që kryetar legjitim i Aleancës për Shqiptarët është Ziadin Sela, të cilit i takojnë edhe vulat e subjektit politik. Ndërsa shton se “uzurpuesi” e ankimoi vendimin dhe siç thotë ajo, nga atëherë e sot nuk ka një vendim nga Gjykata e Apelit.
Ajo thotë se pse po ndodhë kjo vonesë si dhe shton se kjo pritje për drejtësi për anëtarësinë e Aleancës për Shqiptarët bëhet edhe më e rëndë kur emri i subjektit i ndërtuar me gjak e me shumë mund, ose nuk përdoret fare nga ai ose sipas saj, përdoret për të shitur e shtypur shqiptarët.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit deklaruan për TV Shenja lidhur me këtë çështje se ky është një shembull klasik i presionit ndaj gjyqësorit dhe një sulm politik ndaj një autoriteti të tretë, i cili sipas definicionit duhet të jetë i pavarur në dhënien e drejtësisë.
“Zijadin Sela dhe Ali Ahmeti ende jetojnë në filmin kur diktonin vendime gjyqesh nga pozita e pushtetit. Aleanca për Shqiptarët është një ideologji politike që duhet t’i japë një të ardhme të sigurt popullit tonë, jo thjesht një vulë që të keqpërdoret për të mbrojtur krimin e BDI-së dhe të jetë satelit i Reçicës së Vogël”, theksuan nga ASH e Taravarit.
Rikujtojmë që më 1 prill 2024 u mor vendimi i Gjykatës Themelore Tetovë nga ku u pranua kërkesa për regjistrim të ndryshimeve në partinë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë dhe Kërkesa për ndryshimin e statusit të partisë. Ku në vendimin e tyre u evidentua ndryshimi rreth pozitës së kryetarit ku në të ardhmen për kryetar të partisë,sipas Gjykatës Themelore Tetovë, njihet Ziadin Sela, në vend të Arben Taravarit.