Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën nesër, për herë të parë që kur ka marrë postin.
Lajmin është konfirmuar më herët nga NATO-ja përmes një komunikate për media.
“Më 11 mars 2025, Këshilli i Atlantikut të Veriut, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, dhe Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT)”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim, bëhet e ditur se sekretari Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.
“Ata gjithashtu do të zhvillojnë një shkëmbim mendimesh me drejtorët e misioneve të Bashkimit Evropian, Ambasadorin Aivo Orav dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX), Gjeneral Major Giovanni Barbano, përfaqësuesen e posaçme të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, dhe Kryetaren e Përkohshme të Misionit të OSBE-së, znj. Cornelia Taylor”.
Përveç Ambasadorëve nga partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR, Rutte do të takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.