Rusia ka në plan të përfshijë rreth 3,000 ushtarë nga Koreja e Veriut në një nga brigadat e saj të sulmit, të cilët mund të dislokohen në provincën kufitare ruse të Kurskut, ku ushtria ukrainase ka pushtuar një pjesë të territorit, sipas burimeve nga shërbimi ushtarak i inteligjencës ukrainase (GUR), të cituara nga publikimi *Kiev Post* dhe agjencia EFE të martën.
Sipas këtyre burimeve, ushtarët koreano-veriorë do të bashkohen me radhët e Batalionit Special të Burjatias (quajtur kështu sipas një republike në Lindjen e Largët ruse), që është në proces të formimit brenda Brigadës së 11-të Ajrore të Sulmit të ushtrisë ruse. Ata pritet të jenë të pajisur me armatime të lehta dhe të dislokohen pranë qytetit Sudja, që është qyteti më i rëndësishëm i rënë nën kontrollin e trupave ukrainase në Kursk dhe ku ndodhet një nyjë transporti e gazit rus drejt Europës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të hënën për të dytën ditë radhazi, në mesazhin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit, se Koreja e Veriut po rrit ndihmën e saj në përpjekjet luftarake të Rusisë. Ai tha se ka marrë raporte nga shërbimet e inteligjencës për “planet e rusëve për vjeshtën dhe dimrin për të përfshirë seriozisht Korenë e Veriut në luftë.”
Sipas vendeve perëndimore, Koreja e Veriut i ka furnizuar Rusisë sasi të mëdha municionesh për luftën në Ukrainë, veçanërisht predha kalibri 152 mm dhe raketa 122 mm për hedhësit BM-21 Grad. Po ashtu, Rusia ka përdorur në këtë konflikt edhe raketa balistike koreano-veriore, sipas Pentagonit. Në këmbim të municioneve të dërguara, Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia ushqime dhe ndihmë për programin e saj të satelitëve, sipas informacioneve të marra nga SHBA dhe Koreja e Jugut.