Rusia është akuzuar për përdorimin “sistematik” të torturës kundër kritikëve të regjimit dhe ushtarëve ukrainas armiq në një raport të publikuar të mërkurën nga një eksperte e OKB-së për të drejtat e njeriut, raporton DPA.
Hetimet që përbëjnë bazën e këtij raporti tregojnë “si tortura dhe trajtime të tjera çnjerëzore, mizore dhe poshtëruese ose ndëshkime janë përdorur si mjete të miratuara nga shteti për shtypje sistematike në Federatën Ruse.”
Raporti, i përpiluar nga Mariana Katzarova, raportuese speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Rusi, nënvizon se praktika e torturës nga Moska “nuk është një fenomen i ri”.
Pas pushtimit të shkallës së gjerë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt 2022, tortura është bërë një strategji e mirëfilltë për të shuar hapësirën qytetare dhe për të heshtur të gjithë kritikët ndaj luftës dhe disidentëve — çdo person që nuk është dakord me politikat e autoriteteve ruse dhe me të ashtuquajturën “operacion ushtarak special”, siç e quan zyrtarisht Moska luftën e nisur në Ukrainë.
Në raport, Katzarova thekson se aktualisht janë të paktën 1,300 të burgosur politikë në Rusi, por numri real mund të jetë 1,700 apo më shumë, duke përfshirë rreth 30 gazetarë.
Sipas burimeve, mijëra ukrainas janë dërguar në territoret e kontrolluara nga rusët në Ukrainë ose edhe në Rusi, ku janë përballur me trajtime poshtëruese dhe brutale, përfshirë dhunë seksuale.
Shteti rus jo vetëm që i toleron këto praktika, por merr pjesë aktive në akte të tilla torture, duke i përdorur si mjete për të marrë dëshmi, për të ndëshkuar disidentët dhe për të ruajtur kontrollin. Përmenden metoda nga mbytja e simuluar dhe varja në tavan deri te simulimi i ekzekutimit.
Në raport përmenden gjithashtu forma të dhunës së seksualizuar, si përdhunimi i të burgosurve me shkopinj gome, fshesa ose shishe, gjë që është e përhapur në vendet e paraburgimit në Rusi.
Një metodë e njohur si “t’i japim një telefonatë Putinit” përfshin aplikimin e shokut elektrik në pjesët e ndjeshme të trupit, si organet gjenitale, duke marrë emrin nga një telefon i modifikuar ushtarak me të cilin kryhen shoket elektrike.
Vladimir Putin nuk është akuzuar drejtpërdrejt për urdhërimin e torturës, sipas DPA.
Katzarova, gazetare nga Bullgaria, themeloi çmimin në emër të Anna Politkovskaya-s, një gazetare ruse e pavarur e cila u vra në Moskë më 7 tetor 2006 për artikujt e saj kritikë ndaj regjimit rus dhe Ramzan Kadirovit.