Investimet e huaja në Shqipëri arritën në 1.1 miliardë euro përgjatë 9 muajve, duke u rritur me 55 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet më të mëdha vijnë nga Turqia, Italia dhe Holanda, e kryesisht shkojnë në pasuri të paluajtshme.
Më shumë turq, italianë e holandezë po investojnë në vend. Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga janari në shtator 2024 vlera e investimeve të huaja arriti në 1.1 miliardë euro, me rritje 55 milionë euro krahasuar me vjet.
Janë 204 milionë euro të hyra në ekonominë e Shqipërisë nga investitorë nga Turqia gjatë këtij 9-mujori, ndjekur nga 148 milionë euro nga Italia dhe 118 milionë euro investime me origjinë nga Holanda.
Miliona euro po investohen në vend, dhe kryesisht po përqendrohen në pasuri të paluajtshme që janë kthyer tashmë në fushën e preferuar të investitorëve të huaj, të cilët vetëm në 9 muaj blenë 269 milionë euro prona nga 222 milionë euro që ishte vlera vjet.
Mbi industrinë dhe energjinë, tashmë ka kaluar edhe sektori i ndërmjetësimit financiar, në të cilin gjatë kësaj kohe janë investuar 206 milionë euro, ndjekur nga 161 milionë euro në industrinë nxjerrëse, 138 milionë euro në industrinë përpunuese dhe 130 milionë euro në energji elektrike. Bujqësia dhe aktivitetet e shërbimit janë pa asnjë investim të huaj në këtë periudhë.
Banka e Shqipërisë thotë se gjatë këtij viti është vënë re shtim i investimet të huaja, që kanë ardhur kryesisht nga fitimet e realizuar brenda vendit.
Vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti janë investuar në vend 411 milionë euro, thotë Banka e Shqipërisë, ku 234 milionë euro është fitim i riinvestuar, ndërsa pjesa tjetër prej 178 milionë euro, ose 17% më pak se një vit më parë ishte investim direkt nga jashtë.
INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
Janar-Shtator 2023 1,105 mln euro
Janar-Shtator 2024 1,160 mln euro
Rritja +55 mln euro
INVESTIMET E HUAJA SIPAS SHTETEVE
Turqi 204 mln euro
Italia 148 mln euro
Holandë 118 mln euro