Më 26 nëntor 2024, Lëvizja Vetëvendosje publikoi në faqen e saj në Facebook një pretendim që theksonte se qasja e qeverisë së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti në blerjen e barnave esenciale ka ulur ndjeshëm kostot.
Si shembull, ata përdorën çmimin për ilaçin “Bevacizumab”, i cili trajton disa lloje të kancerit. Sipas postimit, ky produkt, që në vitin 2019 kushtonte 1,020 euro dhe në vitin 2020 1,006 euro, tani, në vitin 2024, kushton vetëm 179 euro.
Postimi: “Qasja e re në blerje të barnave esenciale ka bërë që kostoja të bije drastikisht. Si rezultat jo vetëm që kursejmë buxhetin e shtetit, por më të njëjtën sasi parash blejmë shumëfish më shumë barna esenciale dhe trajtojmë shumëfish më shumë pacientë. Në grafikën më poshtë gjeni vetëm një shembull ilustrues të një produkti dhe krahasimin e çmimit të blerjes ndër vite”.
Çka nuk shkon?
Gazetarja Saranda Ramaj, e specializuar në sektorin e shëndetësisë, reagoi ndaj këtij pretendimi në Twitter.
Ajo, me 26 nëntor 2024, argumentoi në Twitter, se interpretimi i qeverisë ishte i gabuar dhe se ulja e çmimit nuk është rezultat i qasjes së re të blerjes, por, sipas saj, një pasojë e skadimit të patentës së ilaçit “Bevacizumab”. Tha se Qeveria po e paraqet këtë si sukses për ruajtjen e buxhetit, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.
Ilaçi “Bevacizumab”, deri në vitin 2022, tregtohej nën emrin tregtar “Avastin”. Ky produkt përdoret gjerësisht për trajtimin e disa llojeve të kancerit. Në Shtetet e Bashkuara, patenta kryesore e “Avastin” skadoi në korrik të vitit 2019, duke çuar në aprovimin e biosimilareve nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA).
Në Evropë, patenta e “Avastin” përfundoi në janar të vitit 2022, duke hapur rrugën për hyrjen në treg të versioneve biosimilare të licensuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Kur një ilaç humb patentën, prodhuesit e tjerë mund të krijojnë biosimilare ose versione gjenerike që përmbajnë të njëjtin përbërës aktiv dhe kanë të njëjtin efektivitet e siguri si ilaçi origjinal. Prodhuesit e këtyre ilaçeve nuk mbulojnë kostot e mëdha të kërkimeve fillestare, duke ofruar produktet me çmime më të ulëta. Konkurrenca e shtuar mes prodhuesve ndihmon në uljen e mëtejshme të çmimeve.
Një tjetër element i ngritur nga Saranda Ramaj, i mbështetur me dokumente, është se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përmendur çmimin e paguar për “Bevacizumab” në vitin 2022. Sipas saj, ky çmim ishte 1,002 euro, i ngjashëm me ato të viteve 2019 dhe 2020, gjë që kundërshton pretendimin për uljen drastike të kostove si rezultat i qasjes së re qeveritare, por dëshmon se rol kryesor në uljen e çmimit pati humbja e patentës nga Avastin.
Ndaj këtij pretendimi të LVV, reagoi edhe Arton Baftiu, doktor i Farmacisë dhe pharmacoepidemiolog në Norvegji, që dha argumentet e njëjta.
“Zakonisht nuk preferoj te komentoj publikisht për manipulimet qe vijne nga politikanet tane, por sot ndjej nje obligim profesional, si farmacist, te kundërshtoj dezinforminin që vjen nga partia qeverisëse në lidhje me reduktimin e gmimeve të barnave. Eshtë turp se si Lëvizja Vetëvendosje, permes këtij postimi, dezinformon qytetarët e Kosovës duke pretenduar se po ruajnë paranë publike dhe po ulin smimet e medikamenteve. Jo, të nderuar. Bevacizumab (Avastin) eshtë një medikament që perdoret kunder disa llojeve te kancereve. Ky bar, i regjistruar nga kompania Roche, e ka humbur patenten në vitin 2022. Qe nga ajo kohë, kompani te tjera farmaceutike, që prodhojnë barna gjenerike, kanë të drejtë te sjellin ne treg versionin gjenerik (në këtë rast biosimilar) te ketij medikamenti. Kjo, detyrimisht ul çmimin e barit ne treg, njekosisht edhe ne Kosovë. Pra, nuk eshtë aspak rezultat i ndonje kontributi te qeverisë, por një proces i zakonshëm qe ndodh kudo në Evropë pas skadimit te patentës së një bari origjinal”, shkroi Baftiu në Facebook, me 26 nëntor 2024.