Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vizituar sot Komunën e Kamenicës, ku është takuar me kryetarin Kadri Rrahimaj.
Duke njoftuar për këtë vizitë, Hajdari ia ka huqur me komunën, por edhe emrin e kryetarit. Fotot i ka publikuar me Rrahimajn, por në postim ka shkruar se ka vizituar Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hysenin.
“Sot, në vizitë të Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni”, ka shkruar fillimisht Hajdari, postim të cilin më pas e ka ndryshuar duke e shkruar emrin e Kadri Rrahimajt.
“Kryetarin Rrahimaj, e përgëzova për progresin e arritur dhe planin praktik për adaptimin e infrastrukturës fizike për funksione të reja për mbështetje në zhvillim të ndërmarrësisë dhe motivimin e të rinjve në komunën e Kamenicës. U pajtuam për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt për shfrytëzimin e mundësive, për mbështetjen në vazhdim ndaj të rinjve ndërmarrës dhe bizneseve vendore, nga diaspora dhe të huaja, me kontribut në zhvillim të përgjithshëm socio ekonomik në komunën e Kamenicës dhe më gjerë”, ka shkruar tutje Hajdaraj.