Nga 6,2 milionë euro të ardhura për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në muajin maj të këtij viti, 4 milionë euro ishin para nga buxheti. Pjesa më e madhe e këtyre parave u shpenzua për reklama politike me pagesë të partive/koalicioneve, që do të thotë se ato para janë derdhur tek mediat, ose me to janë marrë me qira billborde, e kështu me radhë. Urgjentisht duhen bërë ndryshime në Kodin zgjedhor ose të miratohet një ligj i ri me të cilin do të ndërpriten reklamat politike me pagesë për zgjedhjet që paguhen nga buxheti i shtetit – diçka që pothuajse nuk ekziston në vendet evropiane, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Ishte ky shkurtimisht përfundimi i debatit të djeshëm në të cilin Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHKP) me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) i prezantoi raportet speciale për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Në debat morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR), Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare.