Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë javën e kaluar ka kryer kontrolle të jashtëzakonshme të përforcuara në 112 objekte, nga të cilat 54 operatorë janë dënuar me gjobë, 8 kanë marrë ndalesë nga puna, transmeton Portalb.mk.
Kontrolle janë kryer në vendet turistike të Dojranit, Ohrit, Strugës dhe Prespës. Me kontrollet u konstatua mosplotësim i kërkesave të përgjithshme dhe të veçanta higjienike në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve, si dhe ushqimeve me afat të skaduar përdorimi dhe shitjes së ushqimeve pa deklarim dhe etiketim.
“8.700 kilogramë ushqime të pasigurta u hoqën nga qarkullimi dhe u shkatërruan në mënyrë të padëmshme”, njoftoi AUV.
Agjencia e Ushqimit njofton se në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme edhe në qendrat e tjera turistike për shkak të temperaturave të larta.
Kujtojmë se në fillim të korrikut 2024 një dyqan për ushqime të shpejta në lagjen Aerodrom të Shkupit është mbyllur si masë paraprake për shkak të dyshimit për helmim me ushqim të nëntë personave.
Paraprakisht, pas pranimit të katër personave në Klinikën Infektive me simptoma të helmimit nga ushqimi, u mbyll një gjellëtore në lagjen Vllae të Shkupit.