Ndërtimi i shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia” dhe konviktit të saj në qytetin e Durrësit po ecën me ritme të mira.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot përmes rrjeteve sociale, se vijon puna me ritme të shpejta për përmirësimin e kushteve në shkollën e mesme sportive “Benardina Qerraxhia” në Durrës. Ai ndau dhe fotografi nga punimet e kryera.
Sipas kryeministrit Rama, rikonstruksioni kësaj shkolle është një ndër projektet më të mëdha arsimore në vend. “Shkolla, e cila përfshin edhe konviktin për nxënësit, do të ofrojë kushte dhe standarde europiane për mësimdhënien e 250 nxënësve, ku 150 prej tyre do të akomodohen në konvikt.”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Rindërtimi përfshin 16 klasa moderne, 2 laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, një fushë sportive të jashtme, një palestër të brendshme, si dhe dhoma të shërbimeve mjekësore dhe psikologjike. Përveç këtyre, është rindërtuar edhe konvikti i shkollës, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit që jetojnë aty.
Ndërtimi i shkollës së re dhe i konviktit po realizohet falë programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.