Refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, është plotësisht i arsyeshëm dhe duhet të jetë alarm për bashkësinë ndërkombëtare se diçka nuk është në rregull me këtë dialog, dhe se politika ndërkombëtare ndaj palëve duhet të rimendohet.
Një rimendim i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është i domosdoshëm për të tejkaluar paralizën, në të cilën ka hyrë dialogu prejse është nënshkruar marrëveshja bazike dhe aneksi i Ohrit.
Këto dy marrëveshje, të cilat u konsideruan si një sukses që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk po gjejnë zbatim nga subjektet e tyre. Kosova, në njërën anë, nuk ka bërë lëvizje në drejtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse Serbia jo vetëm që po e refuzon nënshkrimin, si akt simbolik i trajtimit të Kosovës si të pabarabartë në këtë dialog, por po i shkel këto marrëveshje në tërësinë e tyre, duke lobuar haptas kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke dërguar letra në adresë të Bashkimit Evropian, me të cilat abstenon nga respektimi i pikave thelbësore të marrëveshjes.
The Best Way To D.I.A.!visit anthonyslimo.net/ to learn morewww.anthonyslimo.net>
Por, problemi nuk qëndron vetëm aty. Problemi i cili dialogun Kosovë-Serbi po e bën të pasuksesshëm është qasja e Bashkimit Evropian, e cila nuk ka krijuar rregulla të qarta në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu, të cilat duhet t’i respektojnë të dyja palët e përfshira dhe mungesa e qasjes së balancuar ndaj palëve. Në këtë kontekst, refuzimi i kryeministrit Kurti për t’u takuar me presidentin Vuçiq, tregon se gjërat rreth dialogut nuk po shkojnë mirë dhe se pala kosovare ka shqetësime serioze rreth mbarëvajtjes së dialogut, të cilat duhet të merren parasysh seriozisht nga ndërmjetësuesi.
Takimet e nivelit të lartë, sa për sy e faqe, pa ndonjë agjendë konkrete e bëjnë dialogun të jetë i predispozuar të dështojë. Vet shefi për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi para dialogut se takimi po organizohet për të parë se “ku gjendemi”, pa treguar konkretisht, se cili është qëllimi i këtij takimi. Ndërkaq, pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq, ai tha se Bashkimi Evropian nuk mund ta dëshirojë normalizimin e marrëdhënieve më shumë se palët e përfshira, pra Kosova dhe Serbia, duke i treguar kështu limitet e fuqisë së Bashkimit Evropian në detyrimin e palëve që të zbatojnë atë për çka janë marrë vesh. Mirëpo, në deklaratën e tij, ai përgjegjësinë për dështimin e takimit trepalësh ia hodhi kryeministrit Kurti, duke cituar tri kushtet e tij për takimin trepalësh, Borrell-Kurti-Vuçiq.
Po të nxirren nga konteksti i zhvillimeve politike prejse janë nënshkruar marrëveshjet në shkurt dhe mars 2023, atëherë përgjegjësia për dështimin e takimit bie mbi Kurtin. Megjithatë, kjo përgjegjësi është parasëgjithash e Bashkimit Evropian, qasja e pabalancuar, e të cilit ka bërë që Kosova të ndihet e frustruar me rrjedhën e dialogut. Por, cilat janë ato rrjedha të cilat e bëjnë Kosovën që të jetë skeptike ndaj procesit të dialogut dhe që e legjitimojnë refuzimin e Kurtit për t’u takuar me Vuçiqin?
E para ka të bëjë me nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura. Serbia refuzon me këmbëngulësi që t’i nënshkruajë marrëveshjet me Kosovën. Me këtë mosnënshkrim, ajo po tregon simbolikisht se nuk e konsideron Kosovën palë të barabartë në dialog, gjë që është në kundërshtim me nenin 1 të Marrëveshjes Bazë, i cili thotë shprehimisht se “palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, njëra me tjetrën, në bazë të të drejtave të barabarta”. Pra, palët në dialog janë të barabarta në mes vete. Prandaj, mosnënshkrimi i marrëveshjes e shkel vet marrëveshjen, përkatësisht nenin e saj të parë, në momentin që ajo është pranuar gojarisht.
Kushti i dytë i kryeministrit Kurti, ka të bëjë me letrën, të cilën ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar Shërbimit evropian për veprim të jashtëm. Me këtë letër, Serbia tregon se i konsideron marrëveshjet e shkurtit dhe të marsit 2023, si meny A la Carte, nga e cila mund të zgjedh se çka të respektojë e çka jo. Me këtë, ajo e shkel parimin e mirëbesimit si bazë për mbarëvajtjen e dialogut në mes të palëve, duke përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian.
Si ndërmjetëse në bisedime, Bashkimi Evropian është dashur që të reagojë dhe të kërkojë nga presidenti Vuçiq tërheqjen e asaj letre, gjë që Bashkimi Evropian nuk e ka bërë, duke treguar kështu një qasje të pabalancuar ndaj palëve në dialog. Letra e Bërnabiqit i hedhë poshtë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit në tërësi, sepse i konteston parimet bazë të marrëveshjeve, duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, në OKB dhe në organizatat që bëjnë pjesë në sistemin e OKB-së, si dhe integritetin territorial të Kosovës. Në fund, letra e Bërnabiqit e thotë qartë se Serbia nuk i konsideron këto dy marrëveshje të detyrueshme ligjërisht në bazë të së drejtës ndërkombëtare, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe politike tek pala kosovare.
Kushti i tretë i kryeministrit Kurti, ka të bëjë me dorëzimin e Millan Radojçiqit te organet e drejtësisë në Kosovë, si udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë në shtator 2023, me ç’rast u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Radojçiqi jo vetëm që nuk po ndiqet penalisht në Serbi, ai u lirua nga arresti menjëherë dhe gëzon imuniteti faktik për sa i takon vrasjes së policit Afrim Bunjaku. Kërkesa për dorëzimin e Radojçiqit për ndjekjen e të cilit juridiksioni bie mbi organet e drejtësisë në Kosovë, madje edhe sipas Rezolutës 1244, në të cilën Serbia e mbështet retorikën e saj për të kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës, është plotësisht legjitime dhe e ligjshme. Me aktin e dorëzimit, Serbia do të tregonte se e mbështet normalizimin e marrëdhënieve. Mosdorëzimi i Radojçiqit tregon se Serbia qëndron prapa sulmit në Banjskë. Kur kësaj t’i shtohet pohimi i ish-kryeministres Bërnabiq në letrën dërguar Bashkimit Evropian në dhjetor 2023, se Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës, është evidente se Serbia mbështet, mbase edhe sponsoron dhe organizon, akte terroriste, siç ishte ai i Banjskës.
Jo vetëm kjo, por politika aktuale e Serbisë është që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë mos të komunikojnë dhe të mos bashkëpunojnë me shqiptarët, madje edhe kur ky bashkëpunim mbështetet nga donatorët ndërkombëtarë. Shumë projekte ndërkombëtare që implementohen në Kosovë nuk kanë arritur të angazhojnë pjesëtarë të komunitetit serb dhe përfaqësues të kishës ortodokse serbe mu për shkak se urdhrat nga Beogradi janë që të mos bashkëpunohet dhe mos të komunikohet me shqiptarë. Kjo u dëshmua edhe me ndalimin e hapur që iu bë festivalit “Mirëdita-Dobar Dan” që ishte planifikuar të mbahet gjatë kësaj jave në Beograd. Pra, politika e gjithmbarshme e Serbisë është në kundërshtim me normalizimin e marrëdhënieve dhe parimit të fqinjësisë së mirë, si parim thelbësor i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, si në mes të Kosovës e Serbisë, ashtu edhe në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
Në këtë kontekst, limitet e Bashkimit Evropian janë që dialogun e sheh të ndarë nga proceset politike që ndodhin përreth dialogut dhe po tregohet i pafuqishëm për t’i detyruar të dyja palët në mënyrë të balancuar që të sillen në bazë të parimeve të përcaktuara në marrëveshjet e arritura.
Është e vërtetë që Kosova ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, si Bashkimi Evropian ashtu edhe SHBA-ja, janë duke bërë presion të jashtëzakonshëm mbi Kosovën, duke përfshirë edhe sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Kosovës. Mirëpo mungesa e presionit ndaj Serbisë për të ndryshuar veprimet e saj që shkelin të gjithë marrëveshjen, e legjitimon hezitimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse në këtë rast, marrëveshjet në kuadër të dialogut do të aplikoheshin vetëm për njërën palë e jo edhe për tjetrën.
Prandaj, refuzimi i kryeministrit Kurti për t’u takuar me presidentin Vuçiq është plotësisht i arsyeshëm dhe duhet të jetë alarm për bashkësinë ndërkombëtare, se diçka nuk është në rregull me këtë dialog dhe se politika ndërkombëtare ndaj palëve duhet të rimendohet.
(shkruar nga Arben Qirezi, Koha)