Në prag të skadimit të afatit për tatimin mbi të ardhurat 0% për hotelet/resortet me 4-5 yje, qeveria synon t’ju japë edhe një tjetër mundësi. Deputeti i PS-së Blendi Klosi përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, propozon që këto biznese të jenë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat deri në fund të vitit 2026, dhe jo deri më 31 dhjetor 2024.
“Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, përjashtohen nga tatimi mbi te ardhurat korporatave për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”, thuhet në projektligjin e propozuar.
Sipas deputetit socialist kjo shtyrje e afatit do të ndihmojë në zhvillimin më tej të sektorit të turizmit. Në relacion thuhet se mungesa e tatimit për këtë kategori do të nxisë investimet në turizëm, hap vende të reja pune, shton potencialin për të pritur më shumë vizitorë si dhe ndikon në rritjen e konsumit.
Përjashtimi i këtyre bizneseve nga tatimi mbi fitimin u miratua në nëntor të vitit 2017, dhe i shtrinte efektet deri në dhjetor 2024.