Të indinjuar nga ky vendim diskriminues dhe poshtërues, propozoj miratimin e kësaj deklarate të përbashkët si Këshill i Komunës së Gostivarit,” tha Aziz Dauti, këshilltar i BDI-së.
Këshilltarët e shumicës në Këshillin e Komunës së Gostivarit sot, për herë të dytë pas qeverisë, ndëshkuan mërgimtarët e Gostivarit. Ata nuk pranuan propozimin e opozitës për të miratuar një deklaratë të përbashkët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë, që nuk i konsideron mërgimtarët si banorë rezidentë dhe ul numrin e këshilltarëve të komunave. Ky vendim ka goditur më së shumti Gostivarin, por shumica e këshillit e refuzoi deklaratën, duke thënë se ajo duhet të kalojë nëpër labirintet e komisioneve komunale.
“Si pikë shtesë të rendit të ditës, do të doja të propozonim miratimin e një deklarate kundër vendimit të qeverisë për përcaktimin e numrit të këshilltarëve në Komunën e Gostivarit. Këtë e propozoj me të vetmin qëllim, pasi jemi komuna më e prekur nga vendimi i fundit i qeverisë me shkurtimin e tetë mandateve të këshilltarëve,” tha Aziz Dauti, këshilltar i BDI-së.
Pasi ky propozim i opozitës, përkatësisht i BDI-së, nuk u mor parasysh për t’u futur në rend dite dhe as për t’u diskutuar, këshilltarët e BDI-së, në shenjë proteste, lëshuan seancën e këshillit.
“Edhe kjo paraqitje e jona lidhet me shqetësimet tona për fshirjen e mërgimtarëve nga përllogaritja e popullsisë. Ne si BDI shprehim mbështetje të plotë për shqetësimet e ngritura nga shoqatat e mërgimtarëve gostivaras. Ata do të kenë mbështetjen tonë të parezervë për të mbrojtur ekzistencën e tyre juridike në vendlindje. Ky ishte një refuzim dhe konfuzion nga ana e kryetarit për të manipuluar pozicionin e tij, duke mos e futur kërkesën tonë në rend dite. Ne në shenjë proteste lëshuam seancën, sepse jemi zgjedhur me votat e të gjithëve, përfshirë edhe këta banorë që, në mënyrë klandestine, joligjore dhe antikushtetuese, po fshihen nga lista e banorëve,” tha Lekë Dalipi, këshilltar i BDI-së.
Ky refuzim nga ana e shumicës është një goditje ndaj mërgimtarëve dhe një mohim i të drejtave të tyre, duke krijuar një ndarje të qëllimshme mes banorëve të Gostivarit thonë nga BDI-ja ata deklarojnë se duke u larguar nga seanca, dërgojnë mesazhin se nuk do të qëndrojë e heshtur ndaj padrejtësisë që po u bëhet mërgimtarëve.