Gjykatat e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të Dragisa Vicentijeviq, avokatit Millosh Deleviq lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit, i cili dyshohet për sulmin në kanalin e ujit të Ibër Lepencit.
Kjo u bë e ditur në bazë të vendimit të Apelit e cila u sigurua nga zv. Administratori i Gjykatës së Apelit, për “Betimin për Drejtësi”.
Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special i kishte caktuar masën e paraburgimit të pandehurit D.V në kohëzgjatje prej 1 muaj, për shkak të dyshimit të bazuar si njejti kishte kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 dhe “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 si dhe neni 128, paragrafi 1, nën paragrafi1.8 si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 i KPRK-së.
Lidhur më këtë vendim mbrojtësi i Vicentijeviq, avokati Deleviq, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar se ky vendim ka shkelje të dispozitave ligjore, si dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar kështu aprovimin e ankesës dhe lirimin e Vicentijeviqit nga masa.
Në ankesë avokati Deleviq ka theksuar se ndaj të mbrojturi të tij nuk ka prova që mbështesin dyshimin se ai ka kryer veprat për të cilat ngarkohen.
Tuje, ai ka theksuar se provat e Prokurorisë mbi dyshimin e Vicentijeviqit ka kryer sulmin është e bazuar në gjetjen e armëve dhe çizme të lagura në shtëpinë e tij, ku sipas tij kjo është dyshim lidhur vetëm me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Ndërsa, lidhur me pretendimin se i mbrojturi do të arratiste, avokati në ankesë ka theksuar se i njëjti është shtetas i Republikës së Kosovës, e ka gjithë pasurinë e tij këtu, nuk ka asgjë në Serbi dhe që qëndron dobët financiarisht gjë që e pamundëson ikjen e tij.
Këtë ankesë e ka kundërshtuar Prokuroria e Apelit e cila ka kërkuar që kjo ankesë të refuzohet si e pabazuar.