“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme jo vetëm për investimet gjermane në vend, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në rrugën drejt integrimit Europian të vendit”. Kështu u shpreh ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.
Teksa foli për reformën në drejtësi, ai theksoi se ajo e vitit 2016 nuk duhet të preket kurrsesi.
“Jemi tepër të gëzuar në lidhje me miratimin e reformën në drejtësi në vitin 2016, e cila hodhi bazat dhe jep një kontribut mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në vend dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë.
Në këndvështrimin tonë, reforma në drejtësi e vitit 2016 nuk duhet të preket. Ndryshimet mund të bëhen vetëm për të zgjeruar fushën e veprimtarisë së kësaj reforme edhe në sektorë të tjerë të vendit”, tha Berger në A2.
Me arrestimet e fundit, ambasadori i Gjermanisë u shpreh se në Shqipëri ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë.
“Suksesi më i dukshëm i kësaj reforme është puna e SPAK-ut, i cili ka mbërritur në arrestime të rëndësishme dhe pa u bërë konkret me emra, koha e pandëshkueshmërisë ka mbërritur në fundin e saj. Gjithsekush është subjekt i zbatimit të ligjit dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.”