Përgatitja:
Në një tigan kavërdisim me pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë.
Shtojmë dhe pulën ose kofshat e pulës dhe e kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.
E kthejmë pulën nga të dyja anët.
Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, piperin e zi dhe piperin e kuq.
I lëmë të zjejnë përreth një orë.
Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit, hedhim miellin e misrit dhe e kavërdisim për 15 minuta.
Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës dhe e përzjejme fortë dhe në mënyrë të pandërprerë që të mos krijohen kokërriza.
Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer më parë me një lugë vaj ulliri.
E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.
Sipas dëshirës, mund të shtrojmë tre petë byreku në tavë e më pas të hedhim sipër saj salcën e përgatitur.
Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.
Pasi e heqim nga furra i hedhim sipër arrat e shtypura dhe sipas preferencës mund t’i shtojmë edhe hudhra të shtypura.
Qulli me Arra shoqërohet mjaft mirë me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë, sallata të stinës etj.
Përbërësit
- 1 pulë 1 kg ose kofsha pule 1 kg
- 100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë
- 15 lugë gjelle miell misri,
- Piper i zi
- Piper i kuq
- Një kokërr qepë
- Një lugë gjelle kripë
- Një filxhan çaji me arra të shtypura
- 1.5 l lëng pule