Bamjet qërohen duke u prerë bishtin në formë konike, në mënyrë që të mos hapen vrimat dhe të mos lëshojnë lëng gjatë zierjes. Bamjet lahen, spërkaten me uthull e kripë dhe lihen për 20 minuta në mënyrë që pushi të zbutet dhe të mos shkatërrohen gjatë përpunimit të nxehtë. Pastaj shpërlahen dhe kalohen në tigan me yndyrë të nxehtë duke i hedhur pjesë-pjesë derisa të vyshken. Së fundi rreshtohen në tenxhere të mbuluar me feta domatesh.
Me yndyrën e mbetur nga kaurdisja e bamjeve përgatitet salca. Kaurdisen qepët e grira hollë, shtohet salcë domatesh ose domate të qëruara e të prera në copa të vogla dhe pasi të jenë kaurdisur të gjitha së bashku, hidhet ujë, kripë, majdanoz. Sa të marrë valë, u hidhet sipër bamjeve, të cilat mbulohen me feta domatesh e mbi to vihet një pjatë përmbys. Pasi vendoset kapaku, lihen të ziejnë derisa të bëhen gati (rreth 10-15 minuta.
Përbërësit:
Për 4-5 persona duhen:
- bamje 1 kg
- vaj 2 filxhanë kafeje
- qepë 2 kokrra,
- domate 4-5 kokrra,
- kripë
- majdanoz.