Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad ndodhet në Damask dhe po kryen funksionet e tij nga kryeqyteti, tha të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve siriane.
Protestuesit antiqeveritar rrëzuan një statujë të babait të ndjerë të Asadit, Hafezit, në periferi të Damaskut.
Një dëshmitar tha se ai kishte parë dhjetëra protestues duke rrëzuar statujën në një shesh kryesor në Jaramana, i cili mban emrin e ish-presidentit. Një tjetër dëshmitar tha se statuja ishte thyer. Pamjet që qarkullojnë në internet dhe të verifikuara nga AFP tregojnë të rinjtë duke rrëzuar statujën dhe duke brohoritur parulla kundër Asadit.
Ndërkohë, kryengritësit sirianë kanë arritur në periferi të Damaskut, thanë të shtunën aktivistët e opozitës dhe një komandant rebel, ndërsa një ofensivë e shpejtë në lëvizje, në të cilën ata kanë pushtuar disa nga qytetet më të mëdha të Sirisë, vazhdon.
Rami Abdurrahman, i cili drejton Observatorin Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se kryengritësit ishin aktivë në periferitë e Damaskut, Maadamiyah, Jaramana dhe Daraya.
Ai tha se luftëtarët e opozitës po marshonin gjithashtu nga Siria lindore drejt periferisë së Damaskut, Harasta.
Hassan Abdul-Ghani, një komandant kryengritës, postoi në Telegram se forcat opozitare kishin filluar të rrethojnë Damaskun në “fazën e fundit” të ofensivës së tyre.
Ai tha se luftëtarët po shkonin nga Siria jugore drejt Damaskut.