Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur votimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për avancimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Osmani në një postim në “X”, ka shkruar se NATO është fati i Kosovës. “Mirënjohës për të gjithë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që votuan në favor të avancimit të statusit të Kosovës në anëtar të asociuar. NATO është fati i Kosovës dhe ky hap do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Osmani.
Po ashtu, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur sot votimin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pro avancimit të statusit të Kosovës në këtë organizatë. “Urime, Kosovë, për zgjedhjen Anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, ka shkruar Begaj në platformën X.
Edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës iu gëzua vendimit. Ejup Maqedonci ka reaguar pas avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. “Nga sot me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar të NATO-s. Pra nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s”, ka shkruar Maqedonci në Facebook. Ministri ka theksuar se Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në NATO.“Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në asamblenë parlamentare të NATO, gjë që sigurisht se do të ndikoj në stabilitetin e Ballkanit”, u shpreh Maqedonci.