Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radojçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpërlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyç si udhëheqës i grupit, Millan Radojçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se aktakuza u ngrit brenda një afati optimal, për faktin se ky është pa dyshim njëri nga rastet më komplekse, për çka ligji, për raste të tilla ka paraparë që hetimet mund të zgjasin deri në tre vjet, pra, një punë që mund të kryhet për tre vjet, të kryhet brenda më pak se një viti, është për t’u duartrokitur.
Ai shpreson se prokurori i çështjes, ndonëse i ballafaquar me sulme dhe etiketime në opinion, mbi baza të rregullta nga faktorë edhe politikë, t’i ketë ndërmarrë veprimet e duhura të parapara me ligj, përfshirë përpjekjet e arsyeshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë sikurse parashihet me nenin 303, paragrafi 8, të Kodit të Procedurës Penale.
“Po pra, mund të ngritët aktakuzë dhe të gjykohen në mungesë të pandehurit për sulmin terrorist dhe me përmasa të agresionit në rastin e 24 Shtatorit të vitit të shkuar…aktakuza (për gjykim në mungesë) u ngritë për më pak se një vit. Drejtësia bazohet në prova dhe fakte, ajo duhet të vendosët ku e ka vendin, të tjerët nëse nuk mund ta ndihmojnë, se paku të mos e pengojnë atë”, ka thënë Bajraktari.
Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.