Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci pas skandaleve të publikuara me grante, vazhdimisht në reagimet e tij ka deklaruar se “as nuk i di emrat e përfituesve” e “as nuk ka pasur ndikim, vlerësim apo intervenim” ndaj tyre. Megjithatë, Periskopi ka siguruar disa e-mail ku dëshmohet se ministri Peci ka intervenuar e ka pasur ndikim vendimtar që për disa fermerë që i kishte refuzuar Drejtoria e Miratimit të Projekteve të Zhvillimit Rural, ministri ka bërë kërkesë që të rikthehen në vlerësim.
Një komunikim përmes e-mail(it) në atë kohë me zv.Drejtorin Ekzekutiv të AZHB’së, Agim Nuhën e ka zhvilluar ministri Faton Peci, ku shihet se ka ngritur si çështje refuzimin e fermerëve nga Komisioni Vlerësues.
Periskopi ka mësuar se arsyeja e refuzimit të këtyre fermerëve është bërë shkak i mungesës dokumentacionit (dokumentacion i pa kompletuar). Kjo është e bazuar në Udhëzimin Administrativ për masat dhe kriteret e përkrahjes për Zhvillim Rural, neni 32.
Duke u bazuar në këtë e-mail, ministri Peci ka ndikuar(ndërhyrë) që zv. Drejtori i AZHB-së të kërkoj nga DPZHR që të gjithë të refuzuarit të identifikohen, të thirren përmes telefonit për të bërë ankesë dhe të procedohen në komision.
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se këta fermerë të cilët ishin refuzuar fillimisht, pas thirrjes që DPZHR i ka bërë dhe iu është thënë që të bëjnë ankesa të njëjtit kanë vepruar në këtë mëyrë dhe kanë fituar grante më pas.
Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë që ministri Peci ka pasur intervenim të drejtpërdrejtë për çështjen e përfituesve të granteve.
Periskopi ndër të tjera, posedon dëshmi që ministri Faton Peci ka ushtruar presion të madh drejt zyrtarëve të lartë të Ministrisë që ai vet e drejton.