Eksponentë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdojnë të theksojnë se raportet mes Kosovës e SHBA-së, aktualisht nuk janë në nivelin e duhur, si pasojë e veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth deklaratave të zyrtarëve amerikanë, se në të kaluarën Kosova kishte raporte më të mira me SHBA-në, se sa i ka tani.
Shaip Hajrizi, thotë se raportet me aleatin me të madh të Kosovës, Amerikën janë në nivelin me të ulët, dhe krejt kjo si pasojë e gabimeve të kryeministrit Albin Kurti.
“Unë mendoj që nuk ka njeri normal që nuk e din që raportet me SHBA-në dhe BE-në i ka prish kryeministri Albin Kurti. Kurrë ne raportet më të këqija e as sanksione nuk kemi pasur. Ato sanksione erdhën nga gabimet e Albin Kurtit. Koordinimi në rend të parë me SHBA-në sepse është mik i yni, mik i Kosovës, ata na kanë çliruar. Ata po na ruajnë kufirin e kryeministri ynë po i thotë naiv njeriut të dytë të Bydenit edhe po thotë nuk kam nevojë për juve sepse unë jam shtet sovran. Kush po ta ruan ty kufirin, qysh mundësh me i thënë, a ka logjik, qysh një kryeministër normal më thënë jam sovran a kufijtë po t’i ruan KFOR-i, sovran është kur t’i i ruan kufijtë vet”, tha ai.
Mirëpo, mendime ndryshe kanë Halil Doda e Ahmet Bllaca.
“Kurti bën një politik që i nëvojitet shtetit të vet dhe Amerika njerëzit e vendosur i do, kurrë nuk i urren Amerika, e din kush është Kurti”, tha qytetari Doda.
Ndërsa, Bllaca thotë se Kurti është më pro amerikan se shumë të tjerë të cilët e akuzojnë për prishje me Amerikën.
“Nuk është e vërtet aspak që i kemi prishur marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në, pse Amerika është nëna jonë, ajo Amerikë me nënën e vet Anglinë edhe me aleatet e vet na kanë bërë shtet, kurrë nëna nuk e braktis fëmijën. Albin Kurti është pro amerikan, ma amerikan se krejt këta që dalin e flasin që thonë po na prish punë u marr vesh ky me kohë”, tha Bllaca.
Të martën, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se raportet e Kosovës me Amerikën, kanë qenë shumë më të mira në të kaluarën, sesa janë aktualisht.