Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të martën, ka kremtuar përmes një organizimi 248 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve.
Të ftuar në këtë organizim ishin shumë figura të ndryshme të skenës politike në vend, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deri të kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në evenimentin festiv, morën pjesë edhe deputetë si nga partitë opozitare ashtu edhe nga mazhoranca.
Megjithatë ajo çfarë ra në sy ishte mungesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Të paktën nga fotografitë e postuara nga ky organizim festiv, kryeministri nuk dukej gjëkundi.
Për dallim nga sivjet, Kurti ishte pjesë e këtij organizimi të paktën në dy vjetët e fundit.
Madje ai në vitin 2022, kishte mbajtur edhe një fjalim, ku ndër të tjera kishte shprehur kënaqësinë e tij që është pjesë e një evenimenti të tillë për shënimin e 4 korrikut.
“Kam kënaqësinë që sonte të jemi së bashku në shënimin e 4 Korrikut, ditën e lindjes së një kombi të madh dhe aleatit më domethënës të popullit tonë. Ju faleminderit për ftesën”, pati thënë ai në fillim të fjalimit të tij.
Edhe gjatë vitit 2023 Kurti ishte i ftuar në shënimin e 247 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve.
Por, për dallim nga viti 2022, Kurtit nuk i ishte dhënë rasti të mbajë një fjalim rasti.
Një gjë të tillë e kishte bërë vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Arsyet se pse Kurti nuk morri pjesë në kremtimin e 248 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve nuk dihen ende.
Megjithatë raportet e SHBA-ve me kreun e ekzekutivit, në muajt e fundit ka pësuar një plasaritje të madhe, kjo për shkak të mos-gatishmërisë së Kurtit për t’u koordinuar me Perëndimin në disa vendime kruciale sidomos në raport me Veriun e Kosovës.
Pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit, tre zyrtarë amerikanë – top diplomatë – dolën hapur që ta demantonin Kurtin, dhe t’i tregonin qytetarëve kosovarë se relacioni në mes të dy shteteve respektive nuk është ashtu siç paraqitej nga udhëheqësi i tyre.
Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien – një njohës i hershëm i zhvillimeve në Ballkan – bëri thirrje ekzekutivit që të tërhiqet nga vendimi për dinarin, derisa bëri me dije se ky vendim “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.
“Nëse ai [Kurti] nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, thoshte O’Brien, derisa tregonte për mungesën e koordinimit për çështjen e dinarit.
Sikur të mos mjaftonte O’Brien, vetëm dy ditë më pas, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të pazakontë për media, para objektit të ambasadës, u detyrua që ta përgënjeshtroi Kurtin, i cili kishte thënë se çështja e dinarit nuk e afekton raportin në mes të Kosovës dhe Amerikës.
Hovenier u thoshte kosovarëve se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se raporti tashmë është afektuar nga kjo situatë, meqë Kosova nuk është treguar partnere me Amerikën.
“Unë jam i shqetësuar që ka intervista që sugjerojnë që partneritet i SHBA-ve me Kosovën nuk është afektuar dhe nuk mund të afektohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë, kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk është ky rasti. Kjo situatë veçse ka afektuar kualitetin e partneriteti tonë”, deklaronte zëri i SHBA-ve në Kosovë.
“Çdo sugjerim për të kundërtën (se nuk ka ndikim kjo situatë) tregon për një keqkuptim apo keqprezantim fondamental”, shtonte.
Edhe ish i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vendimit të dinarit konsideronte se Kosova nuk është duke i trajtuar SHBA-të “si partner”.
Ai vlerësonte se sjellja e Kosovës s’dërgon në stabilitet rajonal.
“Nuk dua të hyjë në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk punon me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”, deklaronte Escobar.