Edi Rama ka nisur ditën sot me një ftesë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar për zgjedhjet më 11 maj. Rama ka publikuar një pjesë nga fjalimi i tij në Kuvendin Rinor Kombëtar, ku ndër të tjera kërkon që diaspora të votojë PS, pasi siç shprehet ai kush mendon se kjo parti ia ngriti kokën Shqipërisë në Europë dhe botë duhet të duhet të regjistrohet pa humbur kohë.
“Nëse nga sot në 100 ditë, votave të shqiptarëve të Shqipërisë do t’u shtohen për herë të parë edhe votat e shqiptarëve të Europës dhe botës kjo do të thotë se ne luftuam, duruam, por në fund bëmë këtë që premtuam, dhe kush ndër ta mendon se ne ia ngritëm kokën Shqipërisë në Europë dhe botë duhet të duhet të regjistrohet pa humbur kohë që me votën e vet për PS të investojë për rritjen e mëtejshme të prestigjit të këtij vendi dhe të bëjë të mundur që fëmijët e sotëm të jenë qytetarë kryelartë dhe të barabartë mes të barabartësh në familjen e bashkuar evropiane”, shprehet Rama.
Ndërkohë, kreu i qeverisë ka zgjedhur të rikthejë edhe një pjesë të fjalimit ku shigjeton opozitën si një kënetë bretkosash me në krye një buf kënete. Rama thekson se një votë e çuar diku tjetër është një gur i hedhur në ujë.
Kush na ndjek nga jashtë vendit në këtë moment, duhet ta ketë parasysh se afati i fundit i regjistrimit si zgjedhës nga aty ku janë është data 4 mars, mos e lini për ditën e fundit, por futuni në faqen e KQZ dhe regjistrohuni për të votuar në 11 maj dhe mos e vini kurrë në dyshim: vota e çuar diku tjetër është një gur i hedhur në ujë, në kënetën e një opozite bretkosash, e cila ka në krye një buf kënete”, tha Rama.
Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 2025 do të votojë edhe diaspora.