Qeveria vijon takimet me të moshuarit. Sot kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, zv.ministrja Olta Manjani dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako kanë zhvilluar një takim me pensionistët në Durrës për të ndarë pikëpamje për skemën e re të pensioneve.
“Ka ardhur koha të bëjmë këtë diskutim sepse tani jemi në kushtet që ekonomia jo vetëm po rritet, por po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Të gjitha kategoritë e tjera kanë përfituar e po përfitojnë.
Vetëm pensionistët nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike.
Taksat janë të fëmijëve, sigurimet shoqërore janë të pensionistëve.
Taksat nuk janë për të paguar pensionet, por kur ndodh që kontributet janë më pak se sa duhet, i marrim nga taksat. U marrim të ardhmen për t’u garantuar pensionistëve pagat.
500 milionë lekë është gropa që duhet të mbushim çdo vit.
Ju kujtohet një që tha do ju japim gjel për vit të ri, sot këndon si gjysmagjel në majë të penxheres.
Ai ju jepte gjysmagjel, ne e bëmë një bonus 50 euro për çdo pensionist”, ka thënë Rama.