Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Brukselit, ku do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian. Ursula Von Der Leyen do të bëjë bashkë në një drekë pune 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të enjten e 19 shtatorit, ku në fokus të diskutimeve do të jenë “axhendat e reformave dhe rritjes”.
5 vendet, veç Bosnje-Hercegovinës, kanë dorëzuar në Komisionin Evropian axhendat e tyre për reformat të cilat synojnë të ndërmarrin, parakusht për të siguruar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Kjo pritet të jetë edhe çështja kryesore e diskutimeve në këtë tryezë, për të parë ecurinë e përgatitjeve të secilit prej vendeve në mënyrë që komisioni Evropian të miratojë agjendat në muajin tetor, ndërsa pagesat e para të bëhen para fundit të këtij viti.
Përmes Planit të Rritjes, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e rajonit në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të buta.
Shqipëria pritet të përfitojë nga ky fond afro1 mld euro, ndërsa Kosova 880 mln euro. Përllogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend do të bëhet në bazë të GDP-së, numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera, por në rast se vendet e rajonit nuk përmbushin reformat pas një apo dy vitesh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.