Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takimin që do të zhvillojë ditën e nesërme me shqiptarët atje. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ndarë një video nga New York, ku shkruan se është krenar për Shqipërinë që sot sipas tij, përflitet me fjalë të mira kudo në botë.
Ai shprehet më tej se ky është takimi i parë me diasporën në SHBA pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut.
POSTIMI I PLOTË:
Në New York për takimin me shqiptarët e Amerikës; krenar për Shqipërinë që sot përflitet me fjalë të mira kudo në botë dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e jashtëzakonshme të rrugës drejt majës së 2030, kur me fuqinë e bashkimit tonë përtej gardhit të sherrnajës së oborrit politiko-mediatik të Tiranës, do të ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian.
Pasnesër, e shtunë 26 tetor, në të parin takim pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut.