Në emër të Shqipërisë në “Dialogun për të ardhmen digjitale”, kryeministri Edi Rama, nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, tha se teknologjia është një progres eksponencial dhe ‘bekim’ për vendet në zhvillim.
Ai theksoi se 95% e shërbimeve sot ofrohen online në Shqipëri, ndërsa sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë ‘histori e të shkuarës’.
Shefi i qeverisë tha se teknologjia ka dhe anën e saj sfiduese, ndërsa përmendi sulmet kibernetike ku vendi ynë ka qenë objekt sulmesh nga Irani.
“Teknologjia digjitale me premtimin e saj për progres eksponencial është bekim për vendet në zhvillim. Ne në Shqipëri e kemi parë në jetën reale dhe me përpjekjet përkatëse u bëmë një vend ku 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës. Nga ana tjetër, ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale, për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian Gjithashtu po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek IA për prokurimet publike.
Nga ana tjetër sigurisht teknologjia digjitale nuk është vetëm një bekim, po edhe një mallkim, si psh sulmet kibernetike.
Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët. Por tekefundit nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të ishte një vend shumë më i mirë. Faleminderit shumë dhe shpresoj shumë që duke folur kaq shkurt, e kam fituar simpatinë tuaj zoti Kryetar”, theksoi Rama