Raiffeisen Invest ka realizuar një projekt të rëndësishëm për komunitetin e fshatit Dermish, në Bashkinë Finiq, duke inaguruar një kënd të ri lojrash për fëmijët e zonës. Ky projekt është një rezultat i bashkëpunimit të bankës me Bashkinë Finiq, duke pasqyruar angazhimin e tyre të përbashkët për përmirësimin e cilësisë së jetës për familjet lokale.
Në ceremoninë e inaugurimit, z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank, theksoi rëndësinë e këtij investimi:
“Fëmijët janë e ardhmja dhe investimi në ta do të thotë investim në një të nesërme më të mirë. Ne jemi të emocionuar që ky projekt ofron një hapësirë ku fëmijët mund të krijojnë miqësi dhe kujtime të qëndrueshme.”
Kryetari i Bashkisë Finiq, z. Romeo Çakuli, falenderoi Raiffeisen Invest për këtë kontribut të vlefshëm dhe theksoi se ky kënd lojrash ishte i nevojshëm, duke qenë se Dermishi ka një numër të madh fëmijësh të vegjël. Ky projekt dëshmon fuqinë e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe institucioneve publike për të përmirësuar mirëqenien e komuniteteve.
Raiffeisen Invest shpreh përkushtimin për të vazhduar me projekte të ngjashme, duke krijuar hapësira dhe mundësi të reja për komunitetet lokale, për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.