Kryetarët e komunave të Shkupit në mbledhjen e sotme koordinuese vendosën që t’i dorëzojnë Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit propozim që tu merren ingerencat Ndërmarrjeve Publike për Higjienë komunale dhe Parqe dhe gjelbërim.
Siç informoi kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, pas mbledhjes së sotme koordinuese kanë marrë vendim që të kërkojnë dorëzimin e obligimeve të komunave.
“Kërkojmë nga Qeveria që të caktojë një të besuar qeveritar dhe të fillojë procesi i shpërbërjes së këtyre dy ndërmarrjeve publike dhe dorëzimi i obligimeve te komunat”, tha Gjordjievski.
Ai informoi se në takimin ku është biseduar për gjendjen me qytetin dhe mosfunksionalitetin e ndërmarrjeve kanë marrë pjesë të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit, përveç dyve që ishin me pushime, por kishte përfaqësues të tyre.
Kryetarët janë të mendimit se në të ardhmen do të mund të diskutohet për shpërbërjen e pjesës tjetër të ndërmarrjeve, pasi p.sh qytetarët ankohen për shërbimet e NTP-së, por për momentin vlerësojnë se prioritet është “Higjiena komunale” dhe “Parqe dhe gjelbërim”.
Tema e revokimit të kredencialeve vjen në kushtet e pothuajse mungesës së koordinimit ndërmjet menaxhmentit dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Kryetarja Danella Arsovska akuzon se për kaosin komunal është fajtor Këshilli i Qytetit nën kontrollin e Mickoskit, sepse qëllimisht nuk e votojnë programin e saj për pastërtinë publike, gjë që e bën të pamundur punësimin e 100 punëtorëve shtesë, të cilët më parë e kanë pastruar qytetin 20 vjet.
VMRO-DPMNE tha se e gjithë përgjegjësia dhe kompetenca është në dorën e saj dhe se në vend që të kërkojë fajtorë, ajo duhet t’i rreket punës.