Kufiri Llojan – Miratoc vazhdon të mbetet i mbyllur për kalim nga Maqedonia e Veriut në Serbi dhe anasjelltas. Pavarësisht se këto vendbanime i ndajnë vetëm rreth tre kilometra rrugë, qytetarët duhet të udhëtojnë rreth 30 kilometra larg përmes kufirit në Tabanoc. Qytetarët kërkojnë që kjo pikë kufitare të hapet përsëri, por institucionet luajnë ping – pong me përgjegjësitë, pavarësisht se hapja e kufirit premtohet moti kohë.
“Aq shumë kanë gënjyer sa kur do hapet nuk do e besojmë”
Banorët e Llojanit për Portalb.mk u shprehen të dëshpëruar nga autoritetet vendase të cilët ndër vite u premtuan hapjen e kufirit, e cila sot e kësaj dite nuk është bërë realitet.
Ata shprehen të lodhur nga kjo çështje, ndërsa rikujtojnë kohërat kur para shumë viteve kjo pikë kufitare ishte e hapur.
Afrim Zimeri tha se vendkalimi kufitar Llojan – Miratoc nuk funksionon që nga viti 1993.
“Në vitin 1993 na kanë lejuar vetëm në këmbë ta kalojmë kufirin, unë personalisht shumë herë e kam kaluar kufirin, kur isha student në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1993 banorëve të fshatit Llojan dhe të Komunës së Likovës u është ndaluar të kalojnë kufirin, drejtë në Preshevë”, tha Zimeri.
Ai theksoi se në vend që t’i kalojnë 2,5 km rrugë deri në fshatin Miratoc, ata duhet të udhëtojnë mbi 30 kilometra rrugë përmes vendkalimit kufitar Tabanoc për t’i vizituar të afërmit.
“Shumë herë e kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar të hapet ky vendkalim kufitar nga qeveritë e dy shteteve të Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut, dhe nuk janë ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim, edhe pse në parlamentet e dy shteteve është ratifikuar marrëveshja për hapjen e vendkalimit kufitar. Sipas disa informatave nga mjetet e informimit është dashur që në vitin 2023, të fillohet të punohet në këtë vendkalim kufitar, por ne banorët e fshatit nuk po shohim makineri duke punuar”, tha Zimeri.
Ai shtoi se shpresat tani për hapjen e kësaj pike kufitare i kanë te Qeveria e re e RMV-së.
Iljasa Salihu, një banor tjetër i Llojanit deklaroi se politika shqiptare në RMV vazhdimisht e ka përdorur hapjen e këtij kufiri për si premtim dhe propagandë dhe për fitore në zgjedhje, por pa realizim.
“Askush nuk beson në hapjen e kësaj, jo pse nuk mund të hapet, por aq shumë kanë gënjyer që besoj se nëse dikur hapet, njerëzit vështirë se do ta besojnë. Po të hapej, kufiri kryesor pak do të shkarkohej Komuna e Likovës dhe Komuna e Preshevës do të gjallëroheshin, lidhjet familjare dhe kombëtare do të forcoheshin, gjëra këto shumë të mira, por të hasura në veshë të shurdhër, e gjitha si pasojë e asaj se pushteti andej e këndej kufirit ende dëshiron të na mbajë sa më të penguar”, tha Salihu.
Institucionet luajnë ping – pong, nuk tregojnë kur do hapet kufiri
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e pyetur për këtë problematikë nga Portalb.mk, thanë se kërkesën tonë e kanë dorëzuar për përpunim të mëtutjeshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministrinë e Transportit.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve deklaruan se për këtë çështje duhet të drejtohemi deri te Ministria e Punëve të Jashtme, dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ne nuk kemi kompetencë për hapjen e pikave të reja kufitare”, thanë Ministria e Transportit.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar më parë për hapjen e pikës së përbashkët kufitare “Llojan – Miratoc” nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria për Çështje Konsullore e RMV-së dhe Serbisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim të realizimit të zotimeve nga agjenda e procesit të Berlinit për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore u nënshkrua “Protokolli për mënyrën e kryerjes së kontrollit kufitar në vendkalimin e përbashkët kufitar Llojan – Miratoc” mes dy vendeve.
“Për pyetje të tjera duhet të kontaktoni Ministrinë e Punëve të Jashtme – Drejtoria e Çështjeve Konsullore”, thanë nga Ministria e Brendshme.
Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së, hesht në pyetjet gazetareske për këtë pike kufitare.
Premtime dhe pritje me dekada, por kufiri nuk është hapur ende
Në vitin 2015, banorët e fshatit Llojan kishin protestuar për hapjen e kufirit Llojan – Miratoc. Ata patën deklaruar se ambasadori i Sërbisë, iu kishte premtuar se kur të bëhet asfaltimi i rrugës, do të hapet pika kufitare.
Në ë vitin 2019, u nënshkrua marrëveshja mes Sërbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për hapjen e vendkalimit të përbashkët kufitar Llojan – Miratoc, nga ish Ministri i Punëve të Brendshme i RMV-së Oliver Spasovski, dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Gjatë vitit 2023, një nga temat kryesore mes takimit midis ish ministrit të Punëve të Jashtme të RMV-së Bujar Osmanit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq ishte përshpejtimi i procesit për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan -Miratoc.
Pika kufitare Llojan – Miratoc është premtuar vazhdimisht ndër vite para zgjedhjeve, por e njëjta mbetet ende e parealizuar.