Pushteti dhe opozita edhe sot këmbyen akuza të ndërsjella lidhur me vendimin e fundit të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga rruga eurointegruese, njofton Portalb.mk.
VMRO-DPMNE-ja qeveritare akuzoi se LSDM-së i pëlqen fakti që vendi është i bllokuar në rrugën e eurointegrimeve.
“LSDM-ja punonin shumë që fillimisht të vendosemi në një kosh me Shqipërinë, ndërsa pastaj edhe Shqipëria të na parakalonte. LSDM-ja vetëdijshëm punonin që Maqedonia të bllokohet duke filluar nga marrëveshjet e nënshkruara nga Zaevi, duke përfunduar me krimin dhe korrupsionin të cilët mbretëronin shtatë vite me LSDM-në. Gëzimi i LSDM-së nuk do të zgjasë, Maqedonia po ecë përpara. Me VMRO-DPMNE-në pason transformim ekonomik, qeverisje e të drejtës dhe prosperitet”, thonë nga partia e Hristijan Mickoskit.
LSDM-ja opozitare, madje, si përgjegjës të drejtërdrejtë për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria i përmendi VMRO-DPMNE-në dhe, siç thonë, politikat e dëmshme të liderit të tyre dhe kryeministër Mickoski.
“Tani, pas debaklit shtetëror që ia organizuan vendit, pas ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia, VMRO-DPMNE po tenton t’i bëjë qytetarët budallenj. Pas të gjithë bllokadave, pas të gjithë obstruksioneve, destruksioneve, ngecjeve, pas të gjithë deklaratave të mundshme të Mickoskit të llojit ‘jo faleminderit’ në BE, sot VMRO-DPMNE-ja e akuzon LSDM-në. LSDM-ja i zgjodhi kontestet e hapura, siguroi anëtarësim në NATO dhe e solli Maqedoninë para pragut të BE-së. VMRO-DPMNE-ja gjatë gjithë kohës i bllokonte të gjithë këto procese, duke e penguar integrimin evropian të vendit”, theksojnë në kumtesën me shkrim nga LSDM-ja opozitare.
Nga atje shtojnë se hapi i fundit që të inkurajohet dhe ta bëjë VMRO-DPMNE-ja nuk është bërë për shkak të vendimeve dhe biznes-interesave të Mickoskit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.