Është publikuar vepra “Autobiografi”, e shkruar në vetën e parë, nga profesori tashmë i ndjerë, Hasan Cërvadiku.
Recensenti i veprës, Hajdin Abazi e ka vlerësuar atë si jo veç një autobiografi të një mësimdhënësi, por edhe e arsimit shqip në Kosovë.
“Në këtë libër mund të ndiqet edhe zhvillimi arsimor në Kosovë, duke parë trajektoren e arsimimit të profesorit Cërvadiku: nga shkolla fillore, gjimnazi i ulët, Shkolla Normale 5-vjeçare, studimet albanologjike në Fakultetin Filozofik”, thuhet në vepër.
Sipas Abazit, përveç kontributit 44 vjeçar në arsim, profesori Hasan Cërvadiku, edhe me këtë autobiografi, vazhdon të japë kontributin e tij për të ndriçuar pjesërisht fatin e arsimit shqip në Kosovë.
“Në këtë libër, po ashtu, frymon dashuria e pafund e mësimdhënësit për arsimin dhe edukimin e brezit të ri, e cila, sikurse e thotë autori duke cituar Eqrem Qabejn, nuk ishte vetëm profesion, por edhe mision”, shkruan tutje recensenti Hajdin Abazi.