Brenda një kohe të shkurtër pritet të nisë në Shqipëri zbatimi i projektit “Smart City”, për rritjen e sigurisë publike në vend dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në akset kryesore kombëtare.
Lajmin e bëri të ditur sot zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë një takimi me prefektët.
“Jemi shumë pranë për të realizuar një projekt të madh ‘Smart City’, që do t’i ofrojë të gjitha zonave urbane mbulim të plotë dixhital me kamera. Do të ketë edhe qendra të përpunimit të të dhënave. Këto janë qendra monitorimi për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, por që ndërthuren edhe me projektin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për monitorimin e akseve kombëtare”, tha Balluku.
Balluku tha se këto të dyja projekte ndërthuren duke dhënë një mbulim të plotë të zonave urbane dhe rrugëve kombëtare duke ofruar mirëmenaxhim të sigurisë kombëtare dhe akseve kryesore rrugore.
Duke u ndalur te masat për turizmin, Balluku solli në vëmendje punën e nisur për menaxhimin e plazheve.
“Turizmi po konsiderohet si një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik të vendit dhe kjo e bazuar në shifra si për sa i përket numrit të vizitorëve edhe shifrave që kanë të bëjnë me impaktin financiar që ka sjellë sezoni i turizmit në vendin tonë. Kemi filluar të jemi proaktiv. Ministria e Turizmit prej disa javësh ka nisur një fushatë sensibiluese për sa i përket menaxhimit të plazheve”, tha Balluku.
Po ashtu ajo nënvizoi edhe masat që po merrem për sigurinë ushqimore, pasi sipas saj, “Shqipëria rankohet si një nga vendet më kulinarinë më interesante në Europë, ndaj dhe siguria ushqimore duhet të jetë e garantuar.