Në kryeqytet ka filluar mësimi tërëditor në dy shkolla fillore, “Faik Konica” dhe “Xhemajl Mustafa”. Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e një reforme të re në sistemin arsimor, duke aplikuar orarin e zgjatur të mësimit në disa shkolla, me synimin që nxënësit të qëndrojnë në shkollë për 8 orë. Megjithatë, kjo reformë ka hasur në kundërshtime të shumta nga prindërit, të cilët kanë vërejtur se orari aktual zgjat vetëm 6 orë e 30 minuta dhe jo 8, siç ishte premtuar, shkruan Demokracia.com.
Shumë prindër janë përballur me vështirësi për të organizuar kujdesin për fëmijët e tyre pas orës 14:30, pasi përfundimi i mësimit në këtë orar lë një hapësirë për prindërit që punojnë deri në orët e vona të pasdites.
Këto pakënaqësi, siç ka mësuar Demokracia.com, u adresuan edhe gjatë një mbledhjeje të fundit mes nënkryetares së Prishtinës, Jehona Lushaku dhe këshillit të prindërve, ku Lushaku u përballë me komente të shumta dhe pyetje kritike nga ana e prindërve.
Një prind, duke folur në emër të disa familjeve, ka pyetur sesi komuna do t’i mbështesë prindërit që punojnë deri në orën 16:00, duke kërkuar një zgjidhje për ata që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë për çerdhe private, pasi pagat e tyre arrijnë rreth 500 euro. Për më tepër, prindërit ngritën shqetësime lidhur me vendimin për orarin e zgjatur, duke pyetur nëse ka pasur konsultime të plota me të gjithë prindërit e prekur dhe nëse janë marrë parasysh efektet emocionale dhe psikologjike të këtij ndryshimi te fëmijët.
Po ashtu, disa prindër kanë kërkuar qartësi mbi ndonjë lehtësim material për ata që do të përballen me shpenzime shtesë për kujdesin e fëmijëve jashtë orarit shkollor, duke pasur parasysh ndikimin financiar që mund të ketë kjo reformë. Ndërsa, kërkesat dhe pyetjet e prindërve mbeten të hapura, pasi që deri tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.
Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku, mësohet se u ka thënë prindërve se reformat nuk mund të ndalen, duke mos ofruar një zgjidhje konkrete për sfidat që ata po përballen.
Ndërkohë, pavarësisht pakënaqësive të ngritura nga prindërit, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e Demokracia.com deri në publikimin e këtij artikulli.
Deri sa mësimi do të zgjasë vetëm 6 orë e 30 minuta, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e tha të vërtetën kur shkroi për këtë reformë, duke thënë se fëmijët do të jenë 8 orë në shkollë.
“Së bashku me deputetin Peter Beyer, ishim mysafirë të Jehonës tek njëra nga shkollat me mësim gjithë ditor në Prishtinë. Aty pamë nga afër transformimin e vërtetë nga një sistem edukimi me vështirësi, tek një sistem me standarde – në fjalë të Peter – sikurse në Gjermani.
Dhe ashtu ishte!
Fëmijë që ushqehen me shujta të ngrohta – të cilat ishin shumë të shijshme; kuzhina moderne, klasë me tabela digjitale, rafte për çantat e rënda, detyra të shtëpisë në shkollë, e aktivitete fizike për fëmijët që rrijnë tani 8 orë në shkollë! Mbi të gjitha një kolektiv arsimor që angazhohet me kaq përkushtim nën drejtimin e Liridonit”. Ka shkruar Abdixhiku.
Vendimi i Komunës së Prishtinës për të zgjatur orarin e mësimit duket të jetë i pamenduar mirë, duke krijuar vështirësi të mëdha për prindërit që punojnë. Mungesa e një zgjidhjeje konkrete për këto sfida tregon një distancë mes politikave të reja dhe nevojave reale të familjeve.