Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, zhvilloi vizitën e tij të parë jashtë vendit duke udhëtuar drejt Arabisë Saudite, një lëvizje që shihet si një përpjekje për të distancuar Damaskun nga Irani.
Sharaa, dikur i lidhur me al-Kaedan, zbarkoi në Riad së bashku me ministrin e Jashtëm, Asaad al-Shaibani, duke udhëtuar me një avion saudit. Në aeroport, flamuri i ri i Sirisë u valëvit krah atij saudit, ndërsa presidenti i përkohshëm, i veshur me kostum dhe kravatë, doli nga avioni.
Gjatë vizitës, ai pritet të takojë princin e kurorës Mohammed bin Salman. Arabia Saudite, dikur mbështetëse e grupeve rebele kundër Bashar al-Assadit, ka ndryshuar qëndrim, duke rivendosur marrëdhëniet me Damaskun në 2023.
Pas marrjes së pushtetit në dhjetor me ofensivën e drejtuar nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), Sharaa ka synuar të ndryshojë imazhin e tij, duke promovuar një qasje më të moderuar dhe duke mbajtur distancë nga Irani e Rusia.
Ndërkohë, Siria mbetet e trazuar, me sulme të vazhdueshme nga grupi i Shtetit Islamik dhe militantë të tjerë. Së fundmi, një bombë në Manbij vrau katër civilë dhe plagosi nëntë të tjerë.