Presidenca e Republikës së Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut për deklaratën mbi incidentit ndaj presidentes Vjosa Osmani të enjten në aeroportin e Shkupit.
Presidenca ka thënë se MPB-ja maqedonase duhet të kërkonte falje, jo të arsyetonte kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe vendosur në skaner telefonin personal të preisdentes së Kosovës. Në reagim thuhet se presidentja me të drejtë ka refuzuar ta dorëzojë telefonin, sipas këshillave nga institucionet e sigurisë.
E, sipas Presidencës, urdhri për një kontroll të tillë çfarë iu bë Osmanit, u dha nga MPB-ja e Maqedonisë.
“Në fakt sot edhe a Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhet në reagim.
Presidenca ka dhënë sërish sqarime rreth situatës së krijuar. Ka thënë se s’është e vërtetë që Osmani nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj.
Edhe më skandaloze Presidenca e ka parë deklaratën e sotme të ministrisë maqedonase, “se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes”.
“Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë e tillë është duke e bërë kundër një presidenteje, e cila gjatë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.
Presidenca ka ritheksuar se zyrtarët e aeroportit të Shkupit kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Osmanin, e që në përputhje me protokollet e sigurisë “ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës”.
Situatën në aeroport Presidenca e ka cilësuar si “provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Presidenca më tej ka kërkuar të trajtohet rasti dhe të merren masa ndaj zyrtarëve të përfshirë.