Shpalljen, të cilën e ka bërë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e ka fituar kompania “Salillari” me bazë në Shqipëri. Kompania është pronë e oligarkut shqiptar, Pëllumb Salillari, të dyshuar për lidhje të forta me pushtetin e Edi Ramës në Shqipëri.
Kontrata është nënshkruar nga ministri Liburn Aliu.
Përzgjedhjen e kompanisë “Salillari” si fituese të projektit e ka bërë një komision i Ministrisë së Infrastrukturës, tha sot ministri Liburn Aliu.
“Njësiti për zbatim të projekteve në kuadër të Ministrisë, bashkë me BERZH-in, e ka bërë shpalljen e ftesës në platformën e ECEPP-së. Nga komisioni është bërë përzgjedhja e operatorëve. Pas përzgjedhjes, i njëjti proces është verifikuar edhe një herë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, shpjegoi ministri në një konferencë për media në Prishtinë.
Aliu tha se kredia ishte marrë vite më parë, por projekti i iniciuar nga pushteti i mëhershëm kishte dështuar shkaku i zvarritjes së punimeve nga një kompani e angazhuar më parë.
“Sapo kemi nënshkruar një kontratë me kompaninë Salillari për projektin e zgjerimit të rrugës në hyrje të qytetit të Ferizajt, projekt ky që është sipas kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Duhet të ju njoftoj se ky është një projekt që tashmë ka qenë duke u zvarritur për shumë vite dhe që nga viti 2019 kur ka qenë e kontraktuar një kompani me të njëjtën kredi dhe pas zvarritjeve të shumta që kemi pasur në punime, është shkëputur kontrata vitin e kaluar”, u shpreh ministri.
Ai tha se asokohe ka qenë e angazhuar një kompani italiane.
“Menjherë pas shkëputjes së kontratës, kemi iniciuar procedurën e re të prokurimit me të njëjtën kredi”, tha ai.
Por, ministri Aliu, i cili në mars të këtij viti njoftoi për hapjen e tenderit për zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt, nuk e dha një detaj të rëndësishëm.
Vlera e tenderit të nënshkruar e tejkalon për rreth katër milionë euro vlerën e parashikuar të kontratës. Nga 12 milionë euro sa parashihej sipas kredisë së lëshuar nga BERZH-i, vlera e tenderit ka kapërcyer në 16 milionë euro.
“Shpallet tenderi për zgjerimin e rrugës hyrëse të Ferizajt,në vlerë prej 12 milionë euro”, kishte njoftuar ministri Aliu për hapjen e ofertave më 29 mars, 2024, një ditë pas hapjes së hapjes së shpalljes.
Bazuar në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ofertat për këtë projekt janë hapur në 28 mars të vitit 2024 dhe përzgjedhja e kompanisë është bërë brenda një muaji. Tenderi është mbyllur në 30 prill, raporton Paparaci, bazuar në të dhënat publike pranë BERZH-it.
Rritja e çmimit të tenderit ka ndodhur pas vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ka dyshime që kjo kontratë ka çmime të larta në raport me vlerën e tregut.
Shuma mbi vlerën e kredisë dyshohet se është shtuar nga buxheti i shtetit.
Kompania “Salillari”, e shpërbyler me këtë tender, dyshohet për shkelje të ndryshme në Shqipëri, përfshirë për ndërtime të paligjshme në Tiranë.
Përveç lidhjeve me pushtetin e Edi Ramës, “Salillari” dyshohet se ka pasur lidhje edhe me ish-presidentin Ilir Meta dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi.