Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për posterët e shfaqur në veri me dedikim për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku thuhej “komandan suprem, po të presim”.
Sveçla ka thënë se po që se Vuçiqi i dëgjon thirrjet dhe niset pa kërkesë për vizitë te Ministria e Punëve të Jashtme, mund të vizitohet në burg.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.
Në veri të Kosovës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.
Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.