Ani pse është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Neum të Bosnjës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar shtetin që nuk e njeh Kosovën dhe është takuar me dy anëtarë të presidencës trepalëshe të këtij shteti.
Në këto takime nuk është parë asnjë flamur i Kosovës dhe nuk kishte as pritje zyrtare për të, duke poshtëruar Kosovën dhe dobësuar atë karshi shteteve të tjera.
Kurti nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.
“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik, sipas raportimit të Srnas.
Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më 5 dhjetor ministrat nga Republika Sërspak thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq.