Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, në kuadër të operacionit “Siguria detare”, bënë të ditur të dielën se kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore. Gjatë kësaj jave nga Ksamili, në Koman, janë bllokuar 44 mjete lundruese.
Mjetet e bllokuara janë: 21 jet ski, 13 skafe, 6 gomone dhe 4 varka metalike.
Sipas Policisë së Shtetit 25 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili, në Vlorë, ndërsa 13 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi, në Shëngjin, kurse 6 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë dhe Koman.
“10 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 deri në 120,000 lekë. Drejtuesit e 34 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10,000 lekë për mungesë dokumentacioni.”, njofton policia.
Po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 14 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Koman, ku në shumicën e rasteve iu rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese, apo duke mos u kthyer dot në breg për shkak të dallgëve.
Policia e Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë për pushuesit, rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të tregohen vigjilentë gjatë lundrimeve.
Njëkohësisht, Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.