Policia e Kosovës shqipton qindra gjoba në ditë për shkelësit e rregullave të trafikut. Vetëm sot ka shqiptuar 1868 tiketa në trafik për të gjitha shkeljet. Në mesin e gjobave ka edhe plot sosh që veturave u ka skaduar regjistrimi. Ato gjoba janë ndër më të lartat. Por, Demokracia.com ka mësuar se shumë prej veturave të Policisë së Kosovës kanë qenë në komunikacion pa sigurim për disa javë. Madje, disa nga to, policia po i përdorë për punë zyrtare.
Shteti po përdorë standarde të dyfishta në raport me qytetarët e saj. Kur policia shkelin ligjin, nuk ka kush t’i gjobisë, kur qytetari e shkel të njëjtin, nuk ka asnjë pardon. Zyrtarët policorë kanë vozitur makina në komunikacion pa sigurim.
Burime të mirinformuara kanë bërë të ditur për Demorkacia.com se sigurimi i disave prej tyre kishte skaduar para disa javësh. Madje, veturat policore pa sigurim po shkaktojnë edhe aksidente. Demokracia.com posedon një fotografi të një veture policore, e cila ka goditur një automjet dhe nuk ka pasur sigurim. Bëhet fjalë për veturën me targën 180-07.
Kjo nuk është hera e parë që veturat zyrtare policore dalin në komunikacion pa sigurim. Kjo ka ndodhur disa herë edhe në të kaluarën.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar një tender për sigurimin e veturave deri sa i vjetri kishte skaduar në muajin maj 2024. Megjithkëtë, burime të mirinformuara bëjnë të ditur se veturat u siguruan vetëm para pak ditësh ose rreth dy javë më parë.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se të gjitha automjetet e Policisë së Kosovës, të cilat janë funksionale janë të siguruara, policia ka kontratë për sigurimin TPL, TPL+ dhe kasko për sigurimin e automjeteve të Policisë së Kosovës. Kontrata e vjetër ka skaduar me datë 03.05.2024 dhe tani ka kontratë të re”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës për Demokracia.com.
Kur Policia e Kosovës vozitet me vetura zyrtare të cilave u ka skaduar sigurimi, bëhet një problem serioz që ngre shqetësime për ligjshmërinë dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Mosrespektimi i obligimeve ligjore, si sigurimi i detyrueshëm i veturave, dëmton besimin e qytetarëve në institucionet dhe ndikon negativisht në imazhin e Policisë së Kosovës.
Kjo situatë gjithashtu mund të hap rrugën për pasoja ligjore dhe financiare në rast aksidentesh, ku mungesa e sigurimit mund të krijojë komplikime të mëdha për mbulimin e dëmeve dhe përgjegjësinë civile.