Partitë opozitare PDK e LDK dje kanë adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti duke e akuzuar për zhbërje të shtetit e përçarje, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje publikoi një video nga Peja, ku tregoi se qeverisja atje po e ndërtojnë një palestë sportive, ndërsa tha se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët në njërën anë do të kenë opsion “Rrugën e Re” dhe në anën tjetër ‘ata që përçajnë’.
“Në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhja do të jetë fare lehtë. Në njërën anë i keni ata që ju mbajnë në moçalim e frustrimit përplot urrejtje, ndarje e përçarje ndaj secilit e ndaj gjithçkaje – e në anën tjetër keni ‘Rrugën e Re’ me plot 5 miliardë euro projekte konkrete në sport, kulturë, arsim, shëndetësi e infrastrukturë; në gjëra që përcaktojnë jetën tuaj e të familjeve tuaja vërtetë! Ne kemi gjetur rrugën! Radha e juaj tani!”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë një takimi me qytetarët në Skënderaj ka thënë se PDK do të “kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës”.
“Partia Demokratike është zëri i atdhedashurisë. Prandaj PDK duhet dhe do të kthehet fuqishëm për të ndalë zhbërjen e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ky ishte tenori i debatit tim me qytetarët e Skenderajt. Këtë ndjenjë qytetare ne duhet ta marrim me seriozitet sepse është ndjenja që këtë popull dhe këtë vend e mbajten të papërkulur me mijëra vjet. Atdhedashurinë dhe krenarinë e votuesve tanë, ne duhet ta komportojmë në vizion politik për të ardhmen e Kosovës. Qëndrueshmërinë e votuesve tanë duhet ta përkthejmë në program politik për fitore”, ka shkruar ajo.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për siç thotë ikjen e infermierëve nga vendi.
“Shifra të tilla të largimit të infermierëve janë me të vërtetë tmerruese, d.m.th. ka kaluar vetëm gjysma e vitit dhe kemi ketë interesim kaq të lartë të ikjes së infermierëve, nuk do të quaje shqetësim por ALARM, zhurma e të cilit po has në vesh të shurdhër”, theksoi Zemaj për FrontOnline.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka adresuar kritika në drejtim të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke kërkuar dorëheqjen e saj, pasi sipas tij ka dështuar dhe nuk ka ndërruar asgjë përveç look-ut të saj.
“Jo vetëm që do të duhet të jap dorëheqje por mendoj që as nuk do të duhej të ishte fare e emëruar si ministre e Drejtësisë duke e pasur parasysh që qysh nga fillimi i mandatit të saj ata paradite e kishim në seancat gjyqësorë për veprat të cilat akuzohej, dhe pasdite në Ministrinë e Drejtësisë, është ministre e dështuar edhe në aspektin e punës së saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë”, ka thënë Haxhiu.