36
Vështirë të ketë paraqitje publike ku Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk prodhon momente senzacionale – ose përmes sfidimit të parametrave të logjikës që i ka markë shënjuese të karakterit politik ose përmes një padurimi të thellë që shpërfaqë ndaj Tjetrit të tij; e që në rastet më të rëndonta (mediatike) Tjetri i tij është gazetari ose intervistuesi.
Duke folur në Qendrën Mediatike në Çagllavicë, Bislimi prodhoi një moment bizar që i vendosi në siklet dhe në të qeshur të parehatshme të pranishmit – të komunitetit serb – kur nxorri një konstatim që jo pak kush do të mbetej gojëhapur. Për se është fjala?Ishte duke folur për çështjen e ndalimit të valutës serbe si mjet i ligjshëm pagese kur tha se kjo punë “fare lehtë” mund të zgjidhjet “nëse ka vullnet” nga Banka Popullore e Serbisë që t’i derdh pagesat për komunitetin serb përmes llogarive bankare që ata posedojnë në banka në Kosovë.
E këtu e prodhoi habinë. Tha se “është e çuditshme” se si Banka Popullore e Serbisë nuk po i kthen përgjigje Bankës Qendrore të Kosovës. Por, çudia e Bislimit nuk konsiston në atë pse BQS-ja s’po i përgjigjet BQK-së, por që guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë “është nga Vushtrria dhe e flet shqipen perfekt”. Pra, mbajeni frymën.